Fusha e punimit:Studimi me metodën e kromatografisë të lëngët me performancë të lartë i nivelit të mbetjeve të sulfonamideve në produktet me origjinë shtazore të destinuara për konsum njerëzor Abstrakti : Një nga tiparet themelore të blegtorisë së sotme është rritja intensive e kafshëve në një strehim të kufizuar, në kontrast kjo me sistemin tradicional të administrimit pa kufi, që do të thotë që kafshët lejoheshin të bridhnin rreth hapësirave të gjera të fermave në kërkim të ushqimit. Sigurisht kjo ka sjell rritjen në mënyrë të pashmangshme të shfaqjes dhe përhapjes së sëmundjeve infektive dhe për pasojë përdorimin më të madh terapeutik dhe profilaktik të antimikrobialeve. Administrimi i antimikrobialeve mund të rezultojë me prezencë të mbetjeve të këtyre substancave ose të metabolitëve të tyre në ushqime me origjinë shtazore si mish, qumësht, vezë etj. Për të mbrojtur shëndetin e konsumatorit, një nga parimet më të rëndësishme të përcaktuara në legjislacionin e BE-së për autorizim të marketingut të barnave veterinare, është që produktet me origjinë nga kafshët e trajtuara me medikamente veterinare nuk duhet të përmbajë mbetje që mund të përbëjnë rrezik për shëndetin e konsumatorit. Ndikimi i këtyre mbetjeve në shëndetin e konsumatorëve, si p.sh. alergjitë dhe rezistenca e mikroorganizmave ndaj antibiotikëve, etj., ka çuar në legjislacion dhe masa shumë të rrepta për kompanitë që nuk i zbatojnë. Sulfonamidet si një nga klasat e medikamenteve antimikrobiale përdoren më shumë në fermat e gjedhit, derrit dhe të shpendëve. Ato absorbohen lehtësisht dhe shpërndahen në trupin e kafshëve, duke u akumuluar në inde të ndryshme dhe duke u transferuar në produktet e tyre. Nëse nuk zbatohen periudhat e eliminimit të medikamentit përpara se të merret produkti ushqimor nga ato, atëherë produktet e dala nga këto kafshë mund të jenë të ndotura me sulfonamide. Mbetjet e sulfonamideve dhe të metabolitëve të tyre gjenerojnë probleme mjaft serioze në shëndetin njerëzor të tillë si reaksione alergjike, rezistencën e mikroorganizmave (Salem 1998, Kozarova dhe Mate 2001), ndërsa disa sulfonamide kanë dalë mjaft kancerogjene (Nue 1992). Këto fakte kanë shkaktuar debate të gjera në lidhje me sigurinë ushqimore të produkteve me origjinë shtazore. Me qëllim për të mbrojtur konsumatorin, Bashkimi Europian ka vendosur Limitet Maksimale të Lejuara (MRL-të) për mbetjet e medikamenteve veterinare në produktet me origjinë shtazore, të bazuara në vlerësimin shkencor të sigurisë së këtyre substancave. Sipas rregullores së Komisionit (EU) Nr 37/2010 Niveli Maksimal i Mbetjes (MRL) i sulfonamideve në produktet me origjinë shtazore është përcaktuar 100 μg kg-1 dhe sipas protokollit të përdorimit të medikamentit periudha e eliminimit të sulfonamideve është 15 ditë. Shtetet anëtare të Bashkimit Europian në zbatim të Direktivës së Këshillit 96/23/EC dhe Vendimit të Komisionit 2002/657/EC janë të detyruar të paraqesin planet kombëtare vjetore të kontrollit të mbetjeve për miratim nga ana e Komisionit Europian, plan i cili përmbledh harmonizimin e monitorimit të substancave të caktuara dhe mbetjeve të tyre në produktet me origjinë shtazore, duke treguar për secilin produkt (mish, qumësht, vezë, etj) grupet e substancave që duhen të monitorohen, përcaktimin e niveleve dhe frekuencën e kampionimit, rregullat e hollësishme për marrjen e mostrave zyrtare dhe vendosjen e kritereve të performancës, si dhe kërkesa të tjera për metodat analitike dhe interpretimin e rezultateve. Teza e plote: |