ERLINDA KONI

Fusha e punimit: Me zhvillimin dhe rritjen e popullsisë, rritet edhe kërkesa për ujë të një cilësie më të mirë 
(WFD: 2000/60; CE 75/440, 1975-2003). Krahas përdorimit industrial, bujqësor dhe blegtoral, 
energjetikë dhe termo-energjetikë, industri, peshkim dhe akuakulturë, lundrim etj., sot po rritet 
dukshëm kërkesa për ujë të pijshëm sa më cilësor, sidomos për higjienën vetjake dhe në 
turizëm. 
Për shkak të kushteve klimatike, kryesisht të reshjeve të bollshme, si dhe relievit kryesisht 
kodrinor-malor, Shqipëria është e pasur me ujëra. Shqipëria renditet ndër vendet e para të 
Evropës për sa i përket sasisë së ujit për frymë të popullsisë, e cila arrin mbi 13’000 m3
frymë/vit (Stanners & Bordeau, 1995). Pjesa më e madhe e ujit të pijshëm në Shqipëri merret 
nga burimet nëntokësore (80%), dhe vetëm 20% nga ujërat sipërfaqësore (Floqi, 2007). 
Sigurimi i ujit të pijshëm për Tiranën është mjaft i domosdoshëm. Pas ndryshimit të sistemit 
ekonomik në vitin 1991, Tirana pësoi ndryshime të mëdha, popullsia e të cilës u rrit disa herë, 
nga rreth 206’000 banorë në vitin 1984, deri në rreth 760’000 në vitin 2012 (INSTAT, 2012), e 
cila është gati sa ¼ e gjithë popullsisë së Shqipërisë.Zona e Tiranës ka veçori natyrore dhe 
gjeologjike të pasura me ujëra me cilësi të mirë. Para 
vitit 1988, uji i pijshëm në Tiranë përftohej nga burime nëntokësore dhe puse nëntokësore 
arteziane, ku burimet e Selitës dhe Shënmërisë kanë qenë furnizuesit kryesorë. Nga gushti i 
vitit 1998 hyri në shfrytëzim Ujëmbledhësi i Bovillës. Brenda projektit SCOPES, punimi i 
kësaj Doktorate u përqendrua në studimin e fitoplanktonit dhe të perifitonit të ujërave të 
Ujëmbledhësit dhe tributarëve të tij. 
Algat mikroskopike, planktonike ose bentonike, janë shumë të ndjeshme ndaj ndryshimeve 
ekologjike mjedisore, dhe si të tilla përdoren shpesh për vlerësimin e gjendjes ushqyese dhe 
cilësisë së ujërave (Fott, 1971; Sládeček, 1986; etj.). Për këtë qëllim janë përpunuar dhe venë 
në zbatim disa tregues ushqyes (Hofmann, 1994; Rott et al., 1997; 1999; Prygiel & Coste, 
2000; etj.), të cilët marrin parasysh si përbërjen cilësore, ashtu dhe atë sasiore të popullatave të 
algave mikroskopike; mbështetur në këto tregues, janë përpunuar, gjithashtu, disa standarde të 
BE-së për monitorimin biologjik të ujërave sipërfaqësore (liqeneve dhe lumenjve), si për 
fitoplanktonin (CEN 2006:N99; CEN TC 230/WG 2/TG 3 2006:N96 dhe EN 15204:2006), dhe 
për perifitonin litoral (EN 13946:2003 dhe EN 14407:2004). 
Vlen të theksohet se në përdorimin për ujë të pijshëm, algat mikroskopike në përbërje të 
fitoplanktonit, kur zhvillohen vrullshëm vështirësojnë sistemet filtruese të ujit të pijshëm. Lloje 
të veçanta të tyre, kryesisht cianobakteret, lëshojnë në ujë lëndë të tilla, si gjeosmina dhe 2-
MIB (2-metillizoborneol), që i japin ujit shije dhe erë të keqe (Jüttner & Watson, 2007). Në 
kushte të caktuara mjedisore, lloje të tjera mund të prodhojnë deri dhe lëndë helmuese që mund 
të përbëjnë rrezik për gjallesat ujore dhe për vetë shëndetin e njeriut (Moestrup, 2004). 
Në këtë Doktoratë do të diskutohen të dhëna mbi fitoplanktonin, perifitonin, përbërjen e algave 
mikroskopike, prodhimtarinë parësore, gjendjen ushqyese dhe cilësinë e ujërave të 
Ujëmbledhësit të Bovillës. Ky studim është i pari i këtij lloji për këtë basen të rëndësishëm për 
qytetin e Tiranës. Këtu do të diskutohen lidhjet e mundshme që ekzistojnë midis të dhënavë të 
algave mikroskopike, planktonike ose bentonike dhe prodhimtarisë parësore me parametra të 
tjerë fiziko-kimikë dhe biologjikë, të vlerësuara gjatë periudhës maj 2006 - shtator 2008, si dhe 
gjatë vitit 2012 në ujërat e këtij Ujëmbledhësi, si dhe me veprimtarinë e njeriut brenda pellgut 
ujëmbledhës. 

TEZA E PLOTE : KLIKO KETU
Ċ
Endri Zjarri,
Mar 29, 2013, 4:58 AM
Comments