Krenaida Taraj

Fusha e punimit: NDRYSHIMET NË SIPËRFAQEN E ARGJILËS SË PRRENJASIT PAS TRAJTIMEVE FIZIKE DHE KIMIKE

Abstrakti:  Për shkak të karakteristikave dhe zonës së gjerë të aplikimit, mineralet argjilore janë konsideruar si materiale me të ardhme premtuese. Përbërja kimike që ndikon në ngarkesën e shtresës, kapaciteti i shkëmbimit kationik (KSHK), sipërfaqja specifike (SBET) dhe vëllimi i poreve janë disa nga karakteristikat që lejojnë mineralet argjilore të kenë aplikime të ndryshme në industri. Në industrinë kimike ato janë përdorur për detergjentët, si katalizatorë [1-3], si mbartës katalizatorësh [4-6], dhe gjithashtu në teknologjinë e pijeve [7]. Roli i tyre i madh në të ardhmen është reflektuar në pastrimin e mjedisit, mbrojtjen e ujit dhe në shkencën e nanopërbërjeve. Bentonitet janë përdorur ose në formën e tyre natyrore ose pas modifikimit (acide, alkale apo substanca organike). Bentonitet natyrore të modifikuara me acid janë objekt i studimit tonë si dhe studimeve të mëparshme [8-11]. Për më tepër, aktivizimi acid i bentoniteve është një metodë e dobishme për të ndryshuar sjelljen katalitike të mineraleve argjilore dhe veçoritë adsorbuese [12-13]. Acidi klorhidrik është më i zakonshmi që përdoret për të studiuar modifikimin e strukturës së bentoniteve [13-16]. Sipas njohurive tona, është një listë shumë e shkurtër e studiuesve që kanë përdorur acidin sulfurik për modifikimin e strukturës smektike [12-17-19].
Argjilat natyrore janë produkt i erozionit të shkëmbinjve dhe janë gjerësisht të përhapura. Përbërja e përgjithshme kimike dhe konstrukti i tyre ndryshojnë nga një vend në tjetrin në varësi të origjinës gjeologjike dhe papastërtive organike, inorganike të pranishme. Për qëllimet e studimit termi “argjilë” përdoret për të treguar një strukturë homogjene “mineral argjilor”. Mineralet argjilore janë shtresa silikatesh ujore me përmasa koloidale të rendit 1 nm – 1 μm [20]. Termi “filosilikat” (filo = fletë) është përdorur për të përfaqësuar grupin e gjerë të silikateve ujore me strukturë shtresore. Përbërësit kryesorë të strukturës së filosilikateve janë atome oksigjeni (ose jone) në tetraedra dhe oktaedra dy – dimensionalë. Atomet bashkërenduese (ose kationet) në qendër të tetraedrit janë pjesa më e madhe Si4+, por mund të ketë të pranishme edhe Al3+ ose Fe3+. Kationet bashkërenduese në oktaedra janë zakonisht Al3+, Mg2+, Fe3+ ose Fe2+. Disa struktura argjilore (p.sh hektorite) mund të sintetizohen në një formë homogjene relativisht të riprodhueshme.

Teza e plote: 

https://docs.google.com/a/fshn.edu.al/viewer?a=v&pid=sites&srcid=ZnNobi5lZHUuYWx8ZnNobnxneDoyYTI1ZGVjOWM0NWQwNzU0

           Kliko ketu

Comments