Liridon Berisha

Fusha e punimit: Zhvillimi i sensorit të ri elektrokimik për përcaktimin e oksidit të azotit (II) bazuar në modifikimin e elektrodës me pastë karboni


Abstrakti: Që nga zbulimi i rëndësisë fiziologjike të oksidit të azotit si faktor relaksues i cili
derivon nga endoteliumi, hulumtimet në shumë laboratorë sidomos ato të kimisë
analitike si objektiv kryesor kanë patur zhvillimin e metodës për përcaktimin e tij.
Oksidi i azotit është radikal neutral dhe si rrjedhim komponim mjaft reaktiv. Shumica
e reaksioneve të tij me oksigjenin, tiolet etj., janë të pranishëm në lëngjet biologjike
dhe për shkak të këtyre vetive gjysmë jeta e tij është rreth 5 sekonda. Për shkak të
jetës së shkurtër, hulumtimet kanë qenë të fokusuara në përcaktimin me metodë
indirekte, duke matur përqendrimin e joneve nitrite të cilat formohen me oksidimin e
oksidit të azotit apo duke matur citrulinën si produkt enzimatik i reaksionit në mes të
NOS (Nitric Oxide Synthetase) dhe L-argininës. Më vonë është gjetur funksioni i tij si
neurotransmetues, aktiviteti i tij antimikrobial dhe antitumorial dhe si pengues i
agregimit të plateleve. Qëllimi kryesor për përcaktimin e NO është fokusuar në
zhvillimin e metodës për matje në kohë reale, gjithashtu in vivo. Metodat optike të
zhvilluara për këtë përcaktim nuk janë shumë të përshtatshme krahasuar me metodat
elektrokimike për arsye të mundësisë së kufizuar të përdorimit në mjedise të
ndryshme. Gjithashtu me përdorimin e mikro dhe nano-elektrodave oksidi i azotit (II)
mund të përcaktohet edhe në qeliza të gjalla.
Në dekadën e fundit janë publikuar një numër i madh punimesh lidhur me sensorët
elektrokimikë për NO dhe është përshkruar përdorimi në mjedise të ndryshme në bazë
të karakteristikave të tyre. Hulumtimet janë zhvilluar më shumë në oksidimin e NO në
potenciale pozitive; potenciali i oksidimit është i afërt me atë të oksidimit të jonit
nitrit. Për këtë arsye mundësia e përdorimit është e kufizuar për shkak të
interferimeve nga komponimet e ndryshme që mund të jenë të pranishme në mostra
reale si: nitritet, acidi askorbik dhe dopamina. Elektroda me pastë e karbonit është
hulumtuar në këtë studim me metoda të ndryshme të modifikimit, duke përdorur edhe
komponime komplekse të metaleve. Modifikuesit përshkruhen si mediatorë në
procesin e elektro-oksidimit të oksidit të azotit, duke zvogëluar potencialin e oksidimit
apo reduktimit për NO në pastën e karbonit dhe krijimin e mundësive për përdorim të
tyre në mjedise biologjike.

Teza e plote: 

https://docs.google.com/a/fshn.edu.al/viewer?a=v&pid=sites&srcid=ZnNobi5lZHUuYWx8ZnNobnxneDoyYTI1ZGVjOWM0NWQwNzU0

           Kliko ketu

Comments