Majlinda Terpo

Fusha e punimit:VLERËSIMI I GJËNDJES MJEDISORE TË ZONAVE GJIROKASTËR – TEPELENË – PËRMET – SARANDË
NËPËRMJET MONITORIMIT TË AJRIT DUKE PËRDORUR MYSHQET SI BIOINDIKATORË
Abstrakti : Ekspozimi ndaj metaleve të rënda është një problem i rëndësishëm i toksikologjisë së
mjedisit. Ndotja e biosferës me metale të rënda është rritur ndjeshëm. Këto metale
edhe pse depozitohen vazhdimisht në norma të vogla, gjatë periudhave të gjata kohore
grumbullohen dhe ndoshta do të paraqesin një rritje të madhe në mjedis dhe rrezik për
shëndetin e njeriut në të ardhmen. Kështu, duket se ka shumë rëndësi zhvillimi dhe
përmirësimi i teknikës së biomonitorimit pasiv afatgjatë për të vlerësuar nivelin e
ndotjes nga metalet e rënda në çdo zonë të veçantë. Duke qënë se ka një mungesë të
teknikave me ndjeshmëri të kënaqëshme dhe me kosto të ulët që të lejojnë matjen e
njëkohshme të shumë ndotësve ne ajër, biomonitorimi duket se është zgjidhja e
vetme, veçanërisht në zonat e thella.
Myshqet janë përdorur si biomonitorues të metaleve të rënda në fund të 1960s
(Ruhling and Tyler, 1968). Përdorimi i myshqeve tokësore është tani një teknikë mjaft
e njohur në studimet e ndotjes atmosferike (Fernandez and Carballeira, 2001) dhe
është aplikuar si një mjet praktik për të treguar dhe karakterizuar burimet e
depozitimit.
Aftësia e myshqeve për t’u përdorur si bioindikatorë varet kryesisht nga prirja e tyre
për të absorbuar dhe akumuluar ndotjen nga metalet, si dhe nga varësia e ndërsjelltë
në lidhje me kontributin e mineralogjisë së zonës (Brown and Brumelis, 1996).
Vetitë më të rëndësishme të myshqeve që i bëjnë të përshtatshëm si biomonitorues për
ndotësit e ajrit (Onianwa, 2001; Zeichmeister et al, 2003a) lidhen me faktin që ato i
marrin lëndët ushqyese nga depozitimi i lagësht dhe i thatë; ato nuk kanë rrënjë të
vërteta, pra nuk mund t’i marrin lëndët e tyre ushqyese nga toka; kapja e lëndëve
ushqyese nga atmosfera ndihmohet nga kutikula e tyre e zhvilluar dobët. Gjithashtu
raporti i lartë i sipërfaqes për njësi të peshës favorizon adsorbimin; shkalla e ngadaltë
e rritjes u lejon atyre të akumulojnë ndotësit gjatë një periudhe kohore më të madhe;
sistemi i tyre vaskular i pa zhvilluar lejon një adsorbim më të mirë se bimët me sistem
vaskular; karakterizohen nga ndryshime morfologjike minimale gjatë jetës së tyre si
dhe kohëzgjatje e ciklit jetësor më shumë se dy vjet.
Një avantazh i rëndësishëm ne lidhje me përdorimin e myshqeve si biomonitor është
shpërndarja e gjërë e tyre në mjedis si dhe lehtësia e marrjes së mostrave.
Ndotësit e ajrit depozitohen në myshqe në tri forma: si tretësirë ujore, formë e gaztë
ose grimca të bashkangjitura. Akumulimi i ndotësve në myshqe ndodh përmes disa
mekanizmash të ndryshëm si: adsorbimi në sipërfaqen e qelizave; gjatë proceseve të
jono – këmbimit; nëpërmjet proceseve të metabolizmit në qelizë (Brown and Bates,
1990).
Lidhja e grimcave influencohet nga madhësia e grimcës dhe struktura e sipërfaqes së
myshqeve. Jono - këmbimi është një proces i shpejtë kimiko-fiziologjik që ndikohet
nga numri dhe tipi i kationeve të lira që ndryshojnë vendet, mosha e qelizave, reagimi
i tyre ndaj tharjes, kushtet e rritjes, temperatura, rreshjet, pH, përbërja e ndotësve dhe
ekstraktimi (Tyler, 1990). Në procesin e jono - këmbimit, kationet dhe anionet lidhen
nëpërmjet grupeve funksionale organike në murin qelizor kryesisht përmes kelatimit
(Rao, 1984). Përbërja kimike e depozitimeve ka një efekt të madh në akumulimin e
ndotësve, sepse aftësia e myshqeve për kapjen e elementëve të ndryshëm është e
ndryshme (Berg et al., 1995).

Ċ
Endri Zjarri,
May 7, 2013, 12:28 AM
Comments