Sonila Kane

Fusha e punimit: Studim i gjendjes mjedisore të Gjirit të Vlorës nëpërmjet parametrave kimiko fizikë të tij

Abstrakti: Mjedisi është gjithçka që na rrethon: toka, uji, ajri dhe organizmat e gjallë. Ekuilibri midis aktiviteteve njerëzore dhe natyrore është prishur dhe për pasojë mjedisi ndryshon vazhdimisht. Një ndër këto ndryshime është ndotja, e cila është shndërruar në një problem global. Ndotja është kudo, në tokë ujë, ajër, prej tyre kalon në ushqim dhe këto të fundit përbëjnë rrezik për shëndetin publik (Nixon et al, 1994). Derdhjet e kontrolluara dhe të pakontrolluara të mbetjeve, shkarkimet aksidentale, nxjerrja e përpunimi i mineraleve dhe llumrat e zeza të përdorura në tokat bujqësore, janë përgjegjëse për shpërndarjen e ndotësve në zonat e pakontaminuara si: dhera ose rrjedha të ujit duke ndikuar në ndotjen e ekosistemit tonë (Ghosh M. et al., 2005). Ndotja shkaktohet nga një numër i madh substancash inorganike e organike si: metalet e rënda, lëndët e djegshme, mbetjet e rrezikshme, produktet eksplozive dhe ato të naftës, fenolet dhe ngjyronjësit e tekstileve (Ghosh M. et al., 2005; Gad N. S. et al., 2008; Jadhav J. P. et al., 2010).
Liqenet, lumenjtë, përrenjtë dhe sisteme të tjera ujore janë shumë të rëndësishme për jetën në planetin tonë. Fatkeqësisht këto rezerva ujore preken shpesh nga ndotja për shkak të shkarkimeve të pakontrolluara të industrisë së prodhimit të kimikateve, rrjedhjet nga tokat bujqësore etj (Grushko Yu. M., 1979; Manahan S.E., 2000; Connell D.W., 1997). Përrenjtë dhe lumenjtë duke filluar nga burimi i tyre, kalojnë nëpër shumë sisteme ujore natyrore dhe artificiale dhe përfundojnë në basenet detare dhe oqeanike. Në këtë mënyrë, ujërat e ëmbla me të gjitha dëmtimet në vetitë fizike, kimike dhe biologjike të tyre kushtëzojnë cilësinë e ujërave të detit dhe oqeaneve dhe për pasojë ndikojnë në jetën në këto sisteme të rëndësishme ekologjike.
Ndotja antropogjenike e ekosistemeve detare është një ndër faktorët që përcakton nevojën për një monitorim sistematik dhe kontroll të ndotësve (metale të rënda, radionuklide etj) që ndikojnë në biotën detare (Mee, 1992; Tuncer et al., 1998).
Ndotësit kryesorë inorganikë janë metalet e rënda, të cilët shfaqin probleme të ndryshme nga ato të ndotësve organikë (Ghosh M. et al., 2005; Gad N. S. et al., 2008; Jadhav J. P. et al., 2010). Ata janë ndër ndotësit më të përhapur në ujin e detit dhe derivojnë kryesisht nga zonat industriale ku kalojnë përrenjtë dhe lumenjtë. Edhe në përqendrime të ulëta, metalet e rënda shkaktojnë dëmtime graduale në mjedis duke qenë se me kalimin e kohës akumulohen në pjesë të ndryshme të organizmave të kafshëve e bimëve duke shkaktuar ndryshime në ekuilibrat biokimikë të tyre. Në këtë mënyrë, mund të pengohet zhvillimi i disa reaksioneve biokimike ose të nxitet zhvillimi i tyre në drejtime të padëshiruara. Për pasojë, shumë organizma mund të dëmtohen dhe të shkaktojnë ndryshime në mjedisin natyror. Prandaj, është shumë i rëndësishëm nga ana biologjike dhe mjedisore, një informacion i saktë për përmbajtjen e metaleve të rënda (Filov V.A. 1988).

Teza e plote: 

                           

https://docs.google.com/a/fshn.edu.al/viewer?a=v&pid=sites&srcid=ZnNobi5lZHUuYWx8ZnNobnxneDoyYTI1ZGVjOWM0NWQwNzU0
           Kliko ketu

Comments