Faqja kryesore‎ > ‎

RREGULLORE PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLAVE TË PROFESORËVE TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS

 

         

RREGULLORE

 

 PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLAVE TË PROFESORËVE TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS

 

 

Kreu I

Përbërja dhe organizimi i Këshillit të Profesorëve.

 

 

Neni 1

 

Këshillat e Profesorëve ngrihen pranë të gjithë Fakulteteve të Universitetit të Tiranës. Organizimi dhe funksionimi i tyre bazohen në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë,  Ligjin nr. 9741, datë 21/05/2007 “Për Arsimin e Lartë në RSh”, VKM nr. 467, datë 18.7.2007 “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për kualifikimin shkencor e pedagogjik të punonjësve akademikë”, VKM nr. 864, datë 5/12/2007 (i ndryshuar), “Për hapjen e programeve të studimeve të doktoratës në institucionet publike të arsimit të lartë dhe për përcaktimin e kushteve që duhet të plotësojë studenti për marrjen e diplomës për gradën shkencore “Doktor”,  Statutin e Universitetit të Tiranës dhe të gjitha aktet e tjera ligjore dhe nënligjore që parashikojnë ose kërkojnë përfshirjen e Këshillit të Profesorëve.

 

Neni 2

 

Këshillat e profesorëve (KP) përbëhen nga të gjithë profesorët, me kohë të plotë, të fakultetit. Lista e anëtarëve të KP, hartohet dhe korrigjohet në përputhje me ndryshimet e mundshme nga Dekani i fakultetit përkatës. Numri minimal i anëtarëve të KP-së duhet të jetë shtatë. Sipas vlerësimit te tij, mund të jenë anëtarë edhe përgjegjësit e departamenteve që janë në proces për marrjen  e titullit “Profesor”.

 Në rast se numri i profesorëve të fakultetit është më i vogël se shtatë, për të arritur këtë numër në KP mund të thirren profesorë të fushave të afërta nga fakultetet e tjera brenda UT, profesorë të ftuar apo profesorë me kontratë të fakultetit ose anëtarë, me titullin “Profesor i Asociuar”, që janë në procesin e aplikimit për titullin “Profesor”. Propozimi për kandidatët që ftohen të bëhen anëtarë të KP, bëhet nga Këshilli i Fakultetit përkatës dhe miratohet nga Rektori i UT.

 

Neni 3

 

Këshilli i Profesorëve drejtohet nga Kryetari i KP. Kryetari zgjidhet me votim të fshehtë të anëtarëve. Drejtimi i KP bëhet me rotacion për një vit akademik  Kandidaturat për kryetar propozohen nga një ose më shumë anëtarë. Në rast të paraqitjes së vetëm një kandidature, fletët e votimit  duhet të krijojnë mundësinë e shprehjes së votës kundër. Procedura e zgjedhjes së kryetarit të KP, organizohet dhe drejtohet nga kryetari në detyrë. Drejtuesi i KP zgjidhet nga i gjithë KP duke siguruar 50%+1 të votave.

 

Neni 4

 

KP mblidhet në kohën më të shkurtër të mundshme, çdo herë që në përputhje me legjislacionin në fuqi kërkohet angazhimi i tij. Mbledhjet e KP thirren, organizohen dhe drejtohen nga kryetari. Thirrja e mbledhjes së KP mund të bëhet edhe me kërkesë të një të tretës së anëtarëve të tij. Mbledhja e KP realizohet atëherë kur janë të pranishëm 2/3 e anëtarëve të tij dhe merr vendime me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të pranishëm në mbledhje, vendime të cilat miratohen nga Dekani.

 

                                                        Neni 5

 

Kompetencat e Këshillit të Profesorëve

 

     Kompetencat e KP janë:

1.     Jep mendim për kërkesën e kandidatëve që kanë aplikuar për të mbrojtur doktoraturën.

2.      KP miraton propozimin e departamenteve për hapjen, mbylljen apo riorganizimin e programeve të studimit të doktoratës.

3.     KP vëzhgon dhe këshillon veprimtarinë e departamenteve përkatës në procesin e organizimit dhe drejtimit të programeve të studimit të doktoratës.

4.     KP bazuar në vlerësimin e departamenteve përkatës miraton ose jo autoreferatin e disertacionit të një doktorate.

5.      KP së bashku me departamentin miratojnë kandidatin fitues të programit të studimit të doktoratës.

6.      KP organizon dhe drejton kualifikim shkencor pedagogjik pas doktoratës.

7.     KP bën promovimin për titullin “Docent”, “Prof. Assoc.” dhe “Prof.” sipas kërkesave të departamenteve përkatës.

8.     KP bazuar kryesisht në vlerësimin e departamentit përkatës si edhe në gjykimin e tij për veprimtarinë mësimore e kërkimore të kandidatit i propozon Dekanit, dhënien e titullit “Docent”.

9.     KP mbështetur në propozimin e departamentit, ngre komisionin e vlerësimit për titullin “Prof.Asoc.”.

10.   Jep mendim për dosjet e personave që kanë aplikuar për titullin “Prof. Assoc.” dhe ia përcjell për procedurë të mëtejshme Rektoratit.

11.   KP zyrtarizon vendimin e komisionit të vlerësimit për dhënien ose jo të titullit.

12.   KP verifikon dosjen e kandidatit për  titullin “Profesor” nëse ajo është e plotë dhe ia përcjell atë Senatit Akademik bashkë me propozimin e departamentit për përbërjen e komisionit të vlerësimit.

 

 

Kreu II

Funksionet dhe procedurat për mbrojtjen e titujve akademikë

 

Neni 5

 

Këshilli i profesorëve, bashkëpunon me Dekanatet e fakulteteve përkatëse, për organizimin dhe drejtimin e kualifikimit, shkencor e pedagogjik të personelit akademik të fakultetit.

 

Neni 6

 

KP organizon procedurën për mbrojtjen e titujve akademikë “Profesor i Asociuar” dhe “Profesor”, në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe VKM nr. 467, datë 18/7/2007, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për kualifikimin shkencor e pedagogjik të punonjësve akademikë”.

 

Neni 7

 

Regjistrimi i dosjeve të kandidatëve për tituj akademikë bëhet pranë zyrës së Zv. Dekanit për anën shkencore të fakultetit përkatës. Ky i fundit, pas regjistrimit të datës së dorëzimit dhe përmbajtjes së dosjes së kandidatit, së bashku me një shkresë përcjellëse, ja kalon dosjen Kryetarit të KP.

 

Neni 8

 

Për vlerësimin e kërkesave për titullin akademik “Profesor i Asociuar”, KP ndjek procedurën që vijon;

a.     Me marrjen e dosjes në dorëzim, Kryetari i KP ngarkon dy nga anëtarët të studiojnë dhe të përgatisin një relacion paraprak të përmbajtjes së dosjes së kandidatëve. Relacioni paraqitet në mbledhjen më të afërt të KP.

b.    Brenda një muaji nga data e marrjes së dosjes në dorëzim, KP verifikon nëse ajo plotëson të gjitha kërkesat e parashikuara në VKM nr. 467, datë 18.7.2007, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për kualifikimin shkencor e pedagogjik të punonjësve akademikë” dhe ngre Komisionin e Vlerësimit, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga ky vendim.

c.     Për të gjitha kërkesat për titujt “Profesor i Asociuar” që janë në përputhje me specifikimet e pikës 3.2 të VKM Nr. 467, datë 18/7/2007, përveç dokumentacionit që provon plotësimin e kritereve të parashikuara në vendimin nr. 786, datë 17/12/1998 të Këshillit të Ministrave “Për kualifikimin shkencor pasuniversitar dhe për klasifikimin e punonjësve, pedagogjikë e kërkimorë”, (i ndryshuar),  KP verifikon nëse në dosjen e kandidatëve gjendet gjithashtu dokumentacioni i mëposhtëm:

1.    Kopje të vendimit të Departamentit për miratimin e kërkesës së kandidatit, datuar përpara dt. 1/7/2007.

2.    Vërtetim nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore e UT, për datën e fillimit të marrëdhënieve të punës si personel akademik në UT, ose të fillimit të kontratës si personel akademik i ftuar pranë UT.

d.    Komisioni i vlerësimit vlerëson plotësimin e kritereve për përfitimin e titullit “Prof. asoc”, nëpërmjet dokumentacionit të paraqitur në dosje dhe aftësive pedagogjike dhe mësimdhënëse të kandidatit duke e ndjekur atë në së paku tre orë të rregullta leksionesh me studentë. Pas kësaj, komisioni i vlerësimit organizon një seancë të hapur ku e fton kandidatin të referojë rreth rezultateve shkencore të fushës kryesore të studimeve të tij.

e.     Komisioni i Vlerësimit harton raportin e vlerësimit të dosjes dhe të aftësive pedagogjike dhe mësimdhënëse të kandidatit dhe ja përcjell atë KP, së bashku me rekomandimin për dhënien ose jo të titullit. Këshilli profesorëve, pas diskutimit, me votim të fshehtë merr vendimin përfundimtar dhe këtë së bashku me dokumentacionin përkatës ia përcjell Dekanit të Fakultetit.

f.      Pas verifikimit të përmbajtjes së dosjes dhe procedurës së vlerësimit të saj, diploma “Prof. Asoc.” firmoset nga Dekani i Fakultetit përkatës dhe Rektori i UT. Pas firmosjes së diplomës Dekani i Fakultetit organizon një leksion të hapur përurues ku i bëhet dorëzimi i diplomës kandidatit/kandidates.

 

Neni 9

 

Për vlerësimin e kërkesave për titullin akademik “Profesor”, KP ndjek procedurën që vijon:

a.     Me marrjen e dosjes në dorëzim, Kryetari i KP ngarkon dy nga anëtarët të studiojnë dhe të përgatisin një relacion paraprak të përmbajtjes së dosjes së kandidatëve. Relacioni paraqitet në mbledhjen më të afërt të tij.

b.    Brenda një muaji nga data e marrjes së dosjes në dorëzim, KP verifikon nëse dosja është e plotë dhe ia përcjell atë së bashku me propozimin për Komisionin e Vlerësimit Senatit të UT, nëpërmjet Dekanatit të fakultetit përkatës.

c.     Për të gjitha kërkesat për titujt “Profesor” që janë në përputhje me specifikimet e pikës 3.2. të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 467, datë 18/7/2007, përveç dokumentacionit që provon plotësimin e kritereve të parashikuara në vendimin nr. 786, datë 17/12/1998 të Këshillit të Ministrave “Për kualifikimin shkencor pasuniversitar dhe për klasifikimin e punonjësve, pedagogjikë e kërkimorë”, (të ndryshuar),  KP verifikon nëse në dosjen e kandidatëve gjendet gjithashtu dokumentacioni i mëposhtëm:

1.    Kopje të vendimit të Departamentit për miratimin e kërkesës së kandidatit, datuar përpara dt. 1/7/2007.

2.    Vërtetim nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore e UT, për datën e fillimit të marrëdhënieve të punës si personel akademik në UT, ose të fillimit të kontratës si personel akademik i ftuar pranë UT.

d.    Pas verifikimit të përmbajtjes së dosjes dhe procedurës së aplikimit,  dosja i paraqitet Senatit të UT, i cili brenda një muaji shqyrton kërkesën dhe i propozon Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë, pranë MASH, përbërjen e Komisionit të Vlerësimit.

 

 

Kreu 3

Funksionet dhe procedurat për organizimin e studimeve të ciklit të tretë

 

 

Neni 10

 

KP bashkëpunon me Dekanatin dhe Këshillin e fakultetit përkatës për organizimin dhe drejtimin e programeve të studimeve të doktoratës.

 

Neni 11

 

Funksionet e KP në lidhje me organizimin dhe funksionimin e programeve të studimit të doktoratës përfshijnë, por nuk kufizohen në;

a.     Aprovon propozimet për hapjen, mbylljen, apo riorganizimin e programeve të studimeve të doktoraturës të departamenteve ose të grupeve mësimore kërkimore të fakultetit përkatës dhe ja përcjell ato për miratim Senatit Akademik të UT.

b.    Përcakton modalitetet për përzgjedhjen e kandidatëve fitues për ndjekjen e programit të studimeve të doktoratës.

c.     Përcakton modalitetet për lejimin e kandidatëve në mbrojtjen e tezës së doktoratës, përfshirë edhe verifikimin e plotësimit të kritereve të përcaktuara nga VKM nr. 864, dt. 5/12/2007.

d.    Miraton planin e aktiviteteve të kërkimit që mund të kryhen pranë vendeve të tyre të punës, për studentët e doktoratës që janë në marrëdhënie pune, ose të përfshirë në aktivitete kërkimi në institucione të tjera publike, ose private.

e.     Vlerëson përmbajtjen shkencore të tezave të doktoratës dhe rekomandon plotësimet e mundshme që mund të bëhen në atë, përpara paraqitjes në komisionin e mbrojtjes së doktoratës.


Kreu 4

Dispozita të tjera

 

Neni 12

 

Përfshirja e anëtarëve të KP në aktivitetet e tij, në përputhje me Udhëzimin nr. 20, dt. 09/05/2008 të Ministrit së Arsimit dhe Shkencës, vlerësohet si pjesë e përfshirjes të personelit akademik në veprimtaritë e institucionit të arsimit të lartë publik.

 

Neni 13

 

Kjo rregullore hyn në fuqi menjëherë.

 

 

 

 

Comments