Faqja kryesore‎ > ‎

RREGULLORE PËR ORGANIZIMIN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT TË DOKTORATAVE

RREGULLORE

 

PËR ORGANIZIMIN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT TË DOKTORATAVE

 

Miratuar në mbledhjen e Senatit Akademik të UT

 

me Vendimin nr. 20, datë 13/11/2008


 

                                                        Kryetari i Senatit

 

 

                                                          Prof. Dr. Dhori KULE

 

 

 RREGULLORE

“PËR ORGANIZIMIN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT TË DOKTORATAVE”

 

 

Bazuar në ligjin 9741, datë 21/05/2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”  (i ndryshuar), V.K.M. nr. 864 datë 5/12/2007 “Për hapjen e programeve të studimeve të doktoratës në institucionet publike të arsimit të lartë dhe për përcaktimin e kushteve që duhet të plotësojë studenti për marrjen e diplomës për gradën shkencore “Doktor” (i ndryshuar) si dhe Udhëzimit nr. 5, datë 22/01/2008 të Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës, Senati Akademik i Universitetit të Tiranës bazuar në projekt rregulloren e përgatitur nga Kryetarët e Këshillit të Profesorëve të fakulteteve të UT, në mbledhjen e tij të datës 13/11/2008 miratoi këtë rregullore.

 

Neni 1

Të përgjithshme

 

1.1 Programet e studimit të doktoratës përfshihen në ciklin e tretë të studimeve universitare, në përfundim të të cilit lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor”.

 

1.2 Programet e studimit të doktoratës organizohen brenda një projekti të madh kërkimor, didaktik, kulturor, kërkimi të pavarur dhe realizohen në koordinim me zhvillimin e dokumentuar të veprimtarive të kërkimit të çdo fakulteti apo të universitetit në tërësi. Ato mund të organizohen edhe si programe ndërdisiplinore ose të përbashkëta. Objektivat formuese të programeve të studimit të doktoratës duhet të jenë të gjera, të motivuara dhe të lidhura me orientimet shkencore në fushën e zgjedhur apo në fushat e zgjedhura në rastin e doktoratave të dy ose më shumë disiplinave.

 

1.3 Programet përmbajnë veprimtari didaktiko-shkencore të formimit të thelluar teorik, të përvetësimit të metodologjive të kërkimit dhe të teknikave operative të posaçme, të realizuara nëpërmjet moduleve mësimorë, seminareve me kualifikim të lartë, stazhit apo praktikave pranë strukturave të kualifikuara etj. Këto veprimtari duhen përcaktuar në mënyrë të qartë dhe të lidhen me objektivat formues të programit të studimit të doktoratës dhe të jenë të kontrollueshëm. Programet përfshijnë kërkimin shkencor dhe veprimtarinë krijuese të pavarur si bazë për përpunimin e tezës së doktoratës, rezultatet dhe mbrojtjen e suksesshme që të çojnë në marrjen e gradës “Doktor”.

 

1.4 Përgjegjës për organizimin dhe drejtimin e programeve të studimit të doktoratës është Këshilli i Profesorëve (KP) të çdo fakulteti të UT ku zhvillohen këto programe.

 

Neni 2

Hapja e programeve të studimit të doktoratave

 

2.1 Çdo njësi bazë apo grup mësimor kërkimor i njësive kryesore të Universitetit të Tiranës mund të formulojë propozimin për hapjen e programeve të studimit të doktoratës nëse plotëson kushtet e mëposhtme:

a.     ka personel akademik me titull “profesor”, “profesor i asociuar” ose me gradën shkencore “doktor” të fituar në universitete perëndimore dhe që ka, së paku, dy vjet përvojë mësimore kërkimore pas doktorature;

b.    ka numrin e nevojshëm të personelit akademik për të udhëhequr çdo student të doktoratës në veprimtaritë e kërkimit dhe në kryerjen e detyrave përkatëse didaktike;

c.     ka struktura të posaçme operative dhe kërkimore për veprimtaritë e parashikuara nga  programi i studimit të doktoratës (laboratorë, biblioteka, studime, etj);

d.    ka burime financiare mbështetëse;

e.     bashkëpunon me universitetet e huaj apo me subjekte publike e private të kërkimit që garantojnë programe të shkëmbimit të personelit akademik dhe të studentëve të doktoratës;

f.      ka përcaktuar mënyrat e verifikimit të veprimtarisë kërkimore apo krijuese  të studentëve të doktoratës, veçanërisht të lidhur me përgatitjen e tezës së doktoratës.

 

2.2 Koordinatori i programit (përgjegjësi i departamentit ose përgjegjësi i grupit mësimor kërkimor), nëpërmjet Dekanit i paraqet Këshillit të Profesorëve të fakultetit përkatës propozimin për hapjen e programit të ri të studimit të doktoratës ose propozimin për riorganizimin e një programi ekzistues.

Ky propozim duhet të formulohet sipas kërkesave dhe formularëve të paraqitur në pjesën e “shtojcave” (bashkëlidhur kësaj rregulloreje) të parashikuara nga Udhëzimi nr. 5 datë 22/01/2008 i Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës. Propozimi duhet të shoqërohet edhe me modelet e kontratave të ndryshme të bashkëpunimit, të vlerësimit vjetor të punës së kryer nga studenti, të platformës së doktoraturës dhe të autoreferatit  sipas specifikave të çdo fakulteti.

2.3 KP brenda një muaji nga data e paraqitjes së programit e shqyrton atë nëse përputhet me kërkesat ligjore të parashikuara nga aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Nëse KP e fakultetit e miraton programin (programet) e paraqitur si edhe udhëheqësin (udhëheqësit) shkencor të propozuar, Dekani i fakultetit e përcjell në Rektorat për shqyrtimin përfundimtar në Senatin Akademik.

Propozimi i Këshillit të Profesorëve duhet të përmbajë:

a.     fushën shkencore dhe emërtimin e programit të studimit të doktoratës i cili duhet ti referohet një sektori disiplinor ose ndërdisiplinor me relacionin përkatës sqarues;

b.    programin e studimit të miratuar sipas rregullave të parashikuara në Statut bashkë me mënyrën e organizimit didaktik dhe shkencor të programit, planin mësimor për fazën e thellimit teorik si dhe parashikime për periudhat e qëndrimit në institucione të huaja kërkimore;

c.     afatet kohore të realizimit të programit të studimit;

d.    tarifën e studimit për çdo student e argumentuar si edhe burime të tjera financimi për studime të doktoratës, nëse ka të tilla;

e.     parashikimi për numrin maksimal të studentëve që mund të regjistrohen çdo vit në programet e doktoratës (jo më i vogël se tre);

f.      personelin akademik që do të mbulojë realizimin e disiplinave teorike të studimit të doktoratës, udhëheqjen e disertantëve sipas titullit apo gradës shkencore. Nëse në ekipet mësimore mund të përfshihet edhe personel akademik i ftuar ai duhet të jetë i miratuar nga këshilli i profesorëve të njësisë kryesore përkatëse;

g.    të dhëna për strukturën organizative dhe drejtimin e programeve të studimit, njësinë bazë që drejton administrativisht programin e doktoratës kur kjo është ndërdisiplinore;

h.    të dhëna mbi përvojat e mëparshme të strukturave në formime pasuniversitare nëse ka pasur;

i.      bashkëpunimet shkencore për realizimin e programit të studimit apo të pjesëve të tij me institucione të tjera kërkimore ose ente publike apo private;

j.      njësinë apo njësitë bazë propozuese të programit të studimit të doktoratës që garantojnë infrastrukturën e nevojshme, ndërtimore e laboratorike për zhvillimin e programit;

k.    modelin e diplomës.

 

2.4 Rektorati i UT i përcjell propozimet për programet e doktoratave në Senatin Akademik, i cili  i shqyrton ato, brenda një muaji nga data e paraqitjes.

2.5 Pas miratimit nga Senati, secili program doktorature (i ri ose i riorganizuar) bashkë me formularët përkatës, të nënshkruar nga koordinatori i programit, përgjegjësi i njësisë propozuese dhe Rektori i UT, i dërgohet Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës për procedura të mëtejshme.

 

2.6 Për hapjen e programeve të studimeve të doktoratës, Universiteti i Tiranës duhet të paraqesë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës kërkesën për hapjen e tyre të shoqëruar me dokumentacionin e mëposhtëm:

a.     fushën shkencore dhe emërtimin e programit të studimit të doktoratës i cili duhet ti referohet një sektori disiplinor ose ndërdisiplinor me relacionin përkatës sqarues;

b.    programin e studimit të miratuar nga Senati Akademik i Universitetit i cili duhet të paraqitet sipas rregullave të parashikuara në Statut dhe të ketë edhe mënyrën e organizimit didaktik dhe shkencor të programit, planin mësimor për fazën e thellimit teorik si dhe parashikime për periudhat e qëndrimit në institucione të huaja kërkimore;

c.     afatet kohore të realizimit të programit të studimit;

d.    tarifën e studimit për çdo student e argumentuar si edhe burime të tjera financimi për studime të doktoratës, nëse ka të tilla;

e.     parashikimi për numrin maksimal të studentëve që mund të regjistrohen çdo vit në programet e doktoratës (jo më i vogël se tre);

f.      personelin akademik që do të mbulojë realizimin e disiplinave teorike të studimit të doktoratës, udhëheqjen e disertantëve sipas titullit apo gradës shkencore dhe numrin përkatës të studentëve për çdo udhëheqës. Nëse në ekipet mësimore mund të përfshihet edhe personel akademik i ftuar ai duhet të jetë i miratuar nga këshilli i profesorëve të fakultetit përkatës;

g.    të dhënat për strukturën organizative dhe drejtimin e programeve të studimit, njësinë bazë që drejton administrativisht programin e doktoratës kur kjo është ndërdisiplinore;

h.    dokumentin për përvojat e mëparshme të strukturave në formime pasuniversitare nëse ka pasur;

i.      bashkëpunimet shkencore për realizimin e programit apo të pjesëve të tij me institucione të tjera kërkimore ose ente publike apo private;

j.      njësinë apo njësitë bazë propozuese të programit të studimit të doktoratës që garantojnë infrastrukturën e nevojshme, ndërtimore e laboratorike për zhvillimin e programit;

k.    modelin e diplomës;

l.      rregulloren për  organizimin e programeve të studimit të doktoratave.

 

2.7 Programet e studimit të doktoratës quhen të miratuara zyrtarisht kur Këshilli i Ministrave miraton propozimin përkatës të Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës.

 

Neni 3

Kërkesat themelore dhe procedura e regjistrimit të kandidatëve

 

3.1 Udhëheqësi shkencor për studentin pjesëmarrës në programin e studimit të doktoratës duhet të ketë titullin  “Profesor”, “Profesor i asociuar” ose të ketë të paktën gradën shkencore “Doktor” të fituar në universitete perëndimore.

 

3.2 Numri i studentëve që mund të udhëheqë njëkohësisht një udhëheqës shkencor përcaktohet për çdo rast nga Këshilli i Profesorëve të çdo fakulteti.

 

3.3 Për të kërkuar regjistrimin në programet e studimit të doktoratës studenti duhet të plotësojë këto kritere:

a.     të ketë përfunduar studimet e larta në fushën e kërkuar dhe të zotërojë një diplomë të nivelit të dytë ose një diplomë të integruar të nivelit të dytë ose një diplomë sipas sistemit të vjetër apo titull akademik të barasvlershëm të fituar jashtë vendit dhe të njohur nga organet kompetente;

b.    të ketë notë mesatare të përgjithshme në studimet e ciklit të parë dhe të dytë tw studimeve 8 e lart;

c.     të ketë dëshmi zotërimi të njërës prej gjuhëve të huaja anglisht, frëngjisht, italisht ose gjermanisht lëshuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja;

d.    të ketë dy rekomandime nga persona që gëzojnë titull shkencor të cilët njohin aftësitë akademike dhe profesionale të kandidatit;

e.     të zbatojë standardet shkencore dhe etike.

 

3.4 Kërkesa e studentit kandidat për miratimin e programit të studimit të doktoratës në të cilën theksohet propozimi për temën dhe udhëheqësin shkencor, përfshihet në dosjen personale që përmban edhe dokumentet e mëposhtme:

a.     curriculum vitae;

b.    kopje e noterizuar e diplomave të kërkuara sipas pikës 3.3 (a) të nenit 3;

c.     kopje e noterizuar e diplomës SHPU, Master i Nivelit të Dytë (MND) e shoqëruar me listën e notave;

d.    certifikatë lindjeje me fotografi;

e.     vërtetim i qendrës së banimit;

f.      2  rekomandime (nga një profesor, profesor i asociuar ose docent);

g.    dëshmi dhe vërtetime provimesh pasuniversitare si gjuhë e huaj etj.

h.    deklaratë e gatishmërisë së udhëheqësit shkencor për të udhëhequr kandidatin;

i.      deklaratë vetjake e studentit për përballimin e shpenzimeve të programit të studimeve të doktoratës;

j.      vendimi i departamentit për propozimin e tezës;

k.    vërtetim i dekanatit për pranimin e dokumentacionit për aplikim;

l.      platforma e disertacionit;

m.  plani i punës i ndarë në vite;

 

3.5 Dosja e kërkesës për regjistrim në programin e studimeve të doktoratës dorëzohet në dekanat. Pasi kontrollon plotësinë ose jo të dosjes zëvendësdekani e dërgon për shqyrtim paraprak tek përgjegjësi i njësisë përkatëse.

 

3.6 Koordinatori brenda 10 ditëve shqyrton propozimin me dosjen përkatëse në departamentin apo grupin mësimor shkencor përkatës dhe plotëson formularët e parashikuar në pjesën “shtojca” të Udhëzimit nr. 5 datë 22/01/2008 të MASH (shih edhe formularët bashkëngjitur kësaj rregulloreje). Dosja e plotësuar me propozimin përkatës dhe me formularët e mësipërm i kthehet zëvendësdekanit të ngarkuar me punën shkencore.

 

3.7 Brenda një jave nga data e paraqitjes nga koordinatori, dosja e plotësuar  me shkresën përcjellëse të dekanatit paraqitet për shqyrtim e miratim në KP.

 

3.8 KP miraton kandidatin fitues të programit të studimit të doktoratës.

 

 

 

 

Neni  4

                                                        Publikimi

 

4.1 Kriteret, procedurat dhe afatet për konkurset e pranimit në programet e studimit të doktoratës, publikohen në organe të medies së shkruar dhe në faqen zyrtare të çdo njësie kryesore, të paktën një muaj përpara mbylljes së afatit për dorëzimin e kërkesave.

 

Neni 5

Kërkesat themelore të punës

për realizimin e programit të studimit të doktoraturës

 

5.1 Gjatë periudhës së studimeve të doktoratës, para paraqitjes për mbrojtje, studenti duhet të ketë plotësuar kushtet e mëposhtme:

a.     Të ketë realizuar së paku, tre referime ose paraqitje shkencore, nga të cilët një referim ose paraqitje të jetë mbajtur në një veprimtari shkencore/profesionale ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres) i pranuar në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe i botuar në “proceedings” të indeksuar me kod ISBN-je.

b.    Të ketë botuar, si autor i parë, së paku, tre artikuj shkencorë në revista shkencore. Së paku, njëri prej artikujve duhet të jetë botuar ose pranuar për botim në një revistë shkencore ndërkombëtare, me bord editorial;

c.     Të ketë paraqitur në KP të fakultetit dosjen e plotë që përmban edhe disertacionin e përfunduar, me një përmbledhje të miratuar nga udhëheqësi shkencor. Pas shqyrtimit të dosjes, KP i përcjell Dekanit vendimin për vazhdimin ose jo të procedurës së mbrojtjes së doktoratës. Kur KP vendos pozitivisht, ai i propozon Dekanit edhe jurinë për mbrojtjen e doktoraturës.

 

5.2. Të paktën një herë në vit, koordinatori i projektit dhe departamenti apo grupi mësimor shkencor duhet të shqyrtojë ecurinë e punës së studentit në programin e studimeve të doktoratës. Nëse nga këto analiza arrihet në përfundimin se studenti nuk është i aftë për vazhdimin e mëtejshëm të programit, nëpërmjet dekanatit, mund t’i propozojë Këshillit të profesorëve çregjistrimin e tij nga programi.  

 

 

Neni  6

Të drejtat dhe detyrat e studentit të doktoraturës

 

6.1 Studenti ka të drejtë:

a.     të kërkojë krijimin e kushteve për ndjekjen e leksioneve dhe të veprimtarive  të tjera të parashikuara në programin e studimeve;

b.    të pajiset kundrejt pagesës, me materialet mësimore  (tekste dhe leksione të shkruara);

c.     të shfrytëzojë bibliotekën e fakultetit apo të njësisë përkatëse të kërkimit;

d.    të tërhiqet vullnetarisht nga programi duke paraqitur kërkesën me shkrim;

 

6.2 Studenti ka për detyrë:

a.     të njohë rregulloren e programeve të studimit të doktoraturës dhe bazën ligjore përkatëse (VKM, Udhëzime të MASH etj.)

b.    të plotësojë të gjitha detyrimet ligjore që rrjedhin nga ligjet, vendimet, udhëzimet e rregulloret;

c.     të kompletojë programin e miratuar të kërkimit të doktoraturës;

d.    të arrije e rezultate të larta në realizimin e programit të studimeve të doktoraturës;

e.     t’i shlyejë në kohën e duhur, universitetit (fakultetit), të gjitha detyrimet financiare që rrjedhin nga regjistrimi dhe vazhdimi i studimeve në programin e doktoratës;

f.      të raportojë, të paktën një herë në vit në njësinë bazë të programit (departament apo grup mësimor shkencor) mbi ecurinë e punës për realizimin e programit;

g.    të zbatojë standardet shkencore dhe etike të parashikuara për doktoratën;

h.    të përfundoje punimin në kohën e duhur;

 

Neni 7

Përgjegjësitë e udhëheqësit shkencor të studentit

 

7.1  Të garantojë se do të zbatojë të gjitha rregullat e udhëheqjes së doktoratës.

 

7.2  Të garantojë se udhëheqja do të kryhet brenda kohës së parashikuar.

 

7.3 Të japë mbështetjen e duhur akademike dhe konsulencën e nevojshme që t’i mundësojë kandidatit të arrijë standarde të larta të kërkimit. Kjo përfshin ndihmën për formulimin e titullit të punimit, për përgatitjen e propozimit dhe të platformës së punimit, rekomandimin e literaturës dhe të burimeve të tjera të informacionit, konsulencën për organizimin e shënimeve dhe përgatitjen e punimit. Udhëheqësi ka përgjegjësi të vetëdijësojë studentin për rrezikun e falsifikimeve dhe të plagjiaturës.

 

7.4  Të mbajë takime të rregullta me studentin mbi ecurinë e punimit.

 

7.5  Në rastet e bashkudhëheqjes, përgjegjësitë duhet të jenë të qarta për të dyja palët dhe ato duhet të mbajnë kontakte të rregullta.

 

7.6  Të vlerësojë progresin e studentit rregullisht duke i kërkuar atij të paraqesë një raport të shkruar dhe të monitorojë punën e tij përkundrejt standardit të kërkuar. Të vetëdijësoje studentin nëse puna e tij është nën standardin e kërkuar dhe të ndërmarrë veprimet e duhura mbështetëse.

 

7.7 Të ndihmojë studentin në përgatitjen e punës së tij që do të prezantohet në seminare ose takime.

 

7.8  Të vërtetojë se kandidati ka plotësuar të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet e jurisë kur ajo e ka rikthyer punimin për riparaqitje.

 

7.9  Të nxisë studentin që ai të botojë pjesë nga kërkimi i tij.

 

Neni 8

Përgjegjësitë e koordinatorit shkencor të programit

 

8.1 Të hartojë çdo vit një listë me temat që janë në studim.

 

8.2 Të kujdeset që të gjithë studentët të kenë udhëheqësin shkencor. Të respektojë rregullat për caktimin e udhëheqësit shkencor të doktoratës.

 

8.3 Të garantojë se udhëheqësit e propozuar janë ekspertë të fushës së kërkimit, kanë kualifikimet e kërkuara, kohën dhe angazhimin për t’i ofruar kandidatit një udhëheqje cilësore të kërkimit dhe një menaxhim cilësor të punës së tij.

8.5 Të garantojë se udhëheqësit e temave nuk janë të mbingarkuar me udhëheqje diplomash.

 

8.6 Të garantojë se kandidatët i plotësojnë standardet për të punuar temën.

 

8.7 Të propozojë temat dhe udhëheqësit e punimeve të doktoratës.

 

8.8 Të interesohet për tu siguruar kandidatëve lehtësirat e nevojshme.

 

8.9 Të garantojë se janë respektuar politikat e udhëheqjes.

 

8.10 Të garantojë se për zhvillimin e doktoratës zbatohen standardet e kërkimeve shkencore.

 

8.11 Të shqyrtojë raportet e progresit të kërkimit të paraqitura nga studentët dhe udhëheqësit dhe të garantojë se udhëheqësi/t  ka/në kontakt të rregullt me studentët. Në rastet kur konstaton probleme, i propozon KP ndryshimet e nevojshme.

 

8.12 Të garantojë se procedura e mbikëqyrjes dhe e shqyrtimit të ecurisë së kërkimit është e rregullt.

 

8.13 T’u bëjë studentëve të njohur të gjitha aktet ligjore, nënligjore, udhëzime, rregullore etj. që kanë të bëjnë me procesin e fitimit të gradës shkencore.

 

Neni 9

Afati i përfundimit të studimeve të doktoratës

 

9.1 Afati i mbrojtjes së tezës së doktoratës, nuk duhet të kalojë 4 vjet nga regjistrimi në program. Për arsye të përligjura (sëmundje të rënda, fatkeqësish etj.) kandidati mund t’i kërkojë KP të fakultetit përkatës shtyrje të afatit të përfundimit të studimeve të doktoraturës duke paraqitur dhe dokumentuar edhe arsyet e kësaj shtyrjeje.

 

9.2 Për studentët që janë në marrëdhënie pune do të ndiqen afatet e përcaktuara në Udhëzimin nr. 5, datë 22/01/2008 “Për përcaktimin e standardeve akademike të nevojshme për hapjen, mbylljen dhe riorganizimin e programeve të studimit doktoratës si dhe të elementëve bazë sipas të cilave IAL duhet të përgatisin rregulloren përkatëse”.

 

Neni 10

Veçoritë e organizimit të procesit të miratimit të programeve të përbashkëta  të doktoratës

 

10.1 Universiteti i Tiranës mund të organizojë programe të përbashkëta të studimit të doktoratës me një ose më shumë universitete të tjera, në bazë marrëveshjesh, duke pasur parasysh si më poshtë:

a.     Programi i studimit të doktoratës dhe përgatitja e tezës së saj të kryhen me periudha të alternuara në secilin prej universiteteve pjesëmarrëse;

b.    Caktimin e dy udhëheqësve, një për secilin universitet për studentët që zhvillojnë programe të tilla. Vlerësimi pozitiv i të dy udhëheqësve është kusht për të kaluar në mbrojtjen e tezës së doktoratës;

c.     Caktimin e gjuhës në të cilën do të hartohet dhe paraqitet teza e doktoratës apo pjesë të saj, përcaktuar në marrëveshjen midis universiteteve;

d.    Anëtarët e jurisë për mbrojtjen e tezës caktohen me vendim të drejtuesve të secilit universitet;

e.     Secili universitet i jep studentit që përfundon me sukses një program të tillë studimi gradën “Doktor” ose ekuivalent me të, duke shënuar në diplomat përkatëse “Tezë doktorate në bashkëpunim me universitetin..........”.

 

 

Neni 11

Veçoritë e organizimit të procesit të miratimit të programeve ndërdisiplinore  të doktoratës

 

11.1 Fakultetet Universitetit të Tiranës mund të organizojnë programe ndërdisiplinore të studimit të doktoratës me një ose më shumë fakultete të tjera, duke pasur parasysh si më poshtë:

f.      Programi i studimit të doktoratës dhe përgatitja e tezës së saj të kryhen me periudha të alternuara në secilën prej fakulteteve përkatëse.

g.    Fusha e kërkimit të jetë e përafërt

h.    Caktimin e dy udhëheqësve, një për secilin njësi kryesore për studentët që zhvillojnë programe të tilla. Vlerësimi pozitiv i të dy udhëheqësve është kusht për të kaluar në mbrojtjen e tezës së doktoratës.

i.      Anëtarët e jurisë për mbrojtjen e tezës caktohen me vendim të drejtuesve të secilës njësi kryesore;

j.      Secila njësi kryesore i jep studentit që përfundon me sukses një program të tillë studimi titullin “Doktor” ose ekuivalent me të, duke shënuar në diplomat përkatëse “Tezë doktorate në bashkëpunim me Fakultetin..........”.

 

Neni 12

  Formimi dhe funksionimi i jurisë për mbrojtjen e doktoratës

 

12.1 Mbrojtja e doktoratës bëhet përpara një jurie të përbërë nga 5 anëtarë nga të cilët 2 janë anëtarë të stafit akademik të njësisë bazë përkatëse dhe 3 anëtarë të jashtëm.

 

12.2 Anëtarët e jurisë duhet të kenë të paktën gradën shkencore “Doktor” të fituar në universitete perëndimore dhe me së paku dy vjet eksperiencë në mësimore-kërkimore postdoktorale. Anëtarët e jurisë mund të jenë edhe nga universitete jashtë vendit. Njëri nga anëtarët e jurisë është kryetar ndërsa dy anëtarë të tjerë janë oponentë.

 

12.3  KP i propozon Dekanit të fakultetit  jurinë për mbrojtjen e doktoratës, mbi bazën e propozimit të njësisë bazë.

 

12.4 Vendimin për miratimin e jurisë e merr Dekani i fakultetit, sipas propozimit të K.P.

 

12.5 Oponentët japin vlerësimin me shkrim të disertacionit në jo më pak se 4 faqe format A4 ku saktësohet se punimi në tërësi i përmbush kërkesat e paraqitura në programin e doktoratës, duke i kushtuar vëmendje vlerave origjinale që paraqet punimi si dhe duke u vënë në dukje anët pozitive e negative të tij (nëse ka të tilla).

 

12.6 Mbrojtja e doktoratës bëhet me pjesëmarrjen e plotë të jurisë jo më parë se një muaj nga data e miratimit të saj.

Kur për arsye të përligjura njëri nga anëtarët e jurisë nuk mund të jetë i pranishëm në datën e caktuar për mbrojtjen e doktoratës, përgjegjësi i departamentit vë në dijeni  Dekanin duke i propozuar edhe një datë tjetër për mbrojtje. Dekani vë në dijeni KP. Dekani merr vendim për ndryshimin e datës së mbrojtjes së doktoratës pas miratimit paraprak nga KP.

 

12.7        Në rast të mospranimit të disertacionit, studenti duhet të lajmërohet me shkrim nga Dekani mbi vendimin e marrë. Në rast pranimi procedura vazhdon më tej.

 

                                                         Neni 13

                                                 Mbrojtja e doktoratës

 

13.1 Mbrojtja e doktoratës bëhet si rregull, e hapur, përveç rasteve kur, për natyrën e veçantë të problemeve të trajtuara (sekrete, konfidenciale etj.) Dekani autorizon mbrojtjen me publik të kufizuar sipas propozimit të KP.

 

13.2  Procedura e mbrojtjes së disertacionit përfshin:

- paraqitjen nga kryetari i jurisë të dokumentacionit të dosjes, përbërjes së jurisë dhe deklarimit nga ana e tij për hapjen e procedurës së mbrojtjes;

- paraqitje e temës nga studenti për  një kohë prej 25-30 min.;

- paraqitje e oponencave;

- pyetje nga të pranishmit rreth disertacionit dhe oponencave drejtuar studentit doktorant;

- diskutime;

- sqarime e replika eventuale nga studenti doktorant dhe udhëheqësi shkencor;

- shpërndarje e fletë votimeve të hapura e të paplotësuara dhe votim i fshehtë për vlerësimin e doktoraturës;

- pasqyrimi në procesverbal i rezultatit të votimit dhe shpallje e vendimit me shkrim.

 

13.3 Punimi vlerësohet me pikë nga 0 – 100 pikë. 100-80% e pikëve të mundshme = “shumë mirë”, 79-65% e pikëve të mundshme = “mirë”, 64-50 % e pikëve të mundshme = “mjaftueshëm”, 49% e më pak e pikëve të mundshme = ‘pakalueshëm”.

 

13.4 Pas mbrojtjes së doktoraturës, autori dorëzon menjëherë një kopje të tij në Bibliotekën Kombëtare, një kopje në bibliotekën shkencore të fakultetit (ku u krye mbrojtja) dhe një kopje në bibliotekën shkencore Universitetit të Tiranës, përkundrejt pajisjes me vërtetim për depozitimin e tyre. Në të kundërt, autorit nuk i dorëzohet diploma përkatëse.

 

13.5 Pas realizimit me sukses të mbrojtjes së doktoratës, doktoranti merr gradën shkencore “Doktor i shkencave”, diploma firmoset nga Dekani i fakultetit përkatës dhe Rektori i UT.

 

13.6  Në rast kthimi mbrapsht nga juria, punimi mund të paraqitet për t’u rimbrojtur vetëm një herë tjetër përpara së njëjtës juri, jo më parë se 12 muaj nga data e rrëzimit. Për arsye të përligjura si arsye shëndetësore, fatkeqësi familjare të studentit doktorant mbështetur në kërkesën e tij, KP mund të zgjasë periudhën e mbrojtjes jo më shumë se 12 muaj.

 

Neni  14

Pezullimi i procedurës së mbrojtjes së doktoratës

 

14.1 Nëse doktoranti heq dorë nëpërmjet një sqarimi me shkrim drejtuar Dekanit nga vazhdimi i mëtejshëm i procedurës atëherë mbrojtja konsiderohet e pezulluar. Dekani informon KP, jurinë dhe udhëheqësin mbi pezullimin e procedurës. Në këtë rast është e mundur përsëritja vetëm një herë e procedurës duke marrë parasysh arritjet e doktorantit deri në stadin aktual të procedurës.

 

14.2 Procedura e doktoratës do të pezullohet edhe në rastet kur udhëheqësi shkencor jep dorëheqjen për arsye të përligjura si: arsye shëndetësore, rezultatet e arritura nga doktoranti pavarësisht punës së udhëheqësit nuk premtojnë se studenti është i aftë për vazhdimin e mëtejshëm të programit etj.

 

Neni 15

Anulimi i gradës “Doktor”

 

15.1 Nëse pas mbrojtjes së disertacionit, konstatohet dhe vërtetohet se grada “Doktor” është mbrojtur nëpërmjet falsifikimeve ose në rrugë jo ligjore atëherë grada anulohet.

 

15.2 KP e fakultetit ngre një juri tjetër, e cila merr vendim për anulimin.

15.3 Përpara se të merret vendimi përfundimtar i duhet dhënë mundësia personit që preket prej vendimit të sqarojë pozitën e tij.

 

Neni 16

Rregullat për paraqitjen e punimit dhe për literaturën

 

16.1 Punimi duhet të respektojë kërkesat e formatit. Nëse punimi nuk prezantohet sipas formatit të kërkuar, ai nuk pranohet deri sa të plotësohen të gjitha kërkesat e formatit.

 

16.2  Tre kopje të punimit shkencor duhet të jenë origjinale. Në kopertinë duhet të vendoset emri i universitetit, fakultetit, programit, titulli i plotë i temës, emri i kandidatit, emri i udhëheqësit shkencor, viti i mbrojtjes.

Pjesa e pasme e kopertinës duhet të përmbajë:

·       Abstraktin në shqip dhe në anglisht. Secili variant duhet të përmbajë 200 fjalë duke u përdorur masa 10–she e shkronjës. Ky element duhet t’u mundësoje lexuesve vendas dhe të huaj të kuptojnë sesi është trajtuar çështja e marrë në studim. Abstrakti në anglisht është një kërkesë e standardeve ndërkombëtare.

·       Fushën dhe fjalët kyçe. Studenti në bashkëpunim me udhëheqësin shkencor përcakton fushën dhe zgjedh fjalët kyçe në funksion të përshtatshmërisë së tyre me terminologjinë e përdorur në disiplinën përkatëse. Ato ndihmojnë identifikimin e tezës midis katalogëve kolektive në biblioteka (shih formatin e pjesës së pasme të kopertinës bashkëngjitur në këtë paketë).

Autoreferati përgatitet në 20 kopje nga të cilat anëtarët e jurisë marrin secili nga një kopje.

 

16.3 Gjatësia e punimit- Përcaktimi i gjatësisë së punimit bëhet nga KP e fakultetit sipas specifikave të çdo fakulteti.

 

16.4 Lloji i letrës- Duhet përdorur letër e cilësisë së lartë, e bardhë, format A4.

 

16.5 Shtypja – Materiali duhet të shtypet vetëm nga njëra anë e letrës. Të gjitha kopjet e studimit duhet të jenë të shtypura me kompjuter, të printuara qartë dhe të jenë të lexueshme lehtësisht. Dorëshkrimet nuk pranohen.

 

16.6 Cilësia e shtypjes- Teksti duhet të shtypet me hapësirë një ndërmjet radhëve. Hapësira njëshe do të përdoret edhe për përgatitjen e tabelave të gjata, të ekstrakteve, të shënimeve, të shpjegimeve të gjata dhe të listës së bibliografisë.

Vetëm një lloj shkrimi duhet përdorur. Lloji i shkrimit duhet të jetë Times New Roman. Masa e shkronjës duhet të jetë 12-she.

 

16.7 Margjinat- Margjinat për të gjithë tekstin do të jenë:

Margjina e sipërme 1”

Margjina e poshtme 1”

Margjina e majtë 1.25”

Margjina e djathtë 1.25”   

 

16.8 Numrat e faqeve- Të gjitha numrat e faqeve duhet të vendosen poshtë dhe në mes të faqes.

 

16.9 Parathënia duhet të shtypet me shkronja kursive.

Hyrja duhet të ketë numra romakë.

Pjesa e studimit duhet të ketë numra arabë.

Faqet e bibliografisë, shtojcave duhet të numërohen me numra arabë në vijim të numrave të tekstit.

 

16.10 Shënimet- Shënimet duhen të bëhen në mënyrë kompjuterike.

 

16.11 Tabelat- Tabelat është mirë të përfshihen në tekst. Tabelat duhet të vendosen në qendër të faqes, brenda margjinave të caktuara. Çdo tabele i duhet vendosur një numër referimi me numër arab. Numri i tabelës duhet të ndjekë numrin e kapitullit të cilit i përket.

Fjala “tabelë”, numri i tabelës dhe legjenda duhet të vendosen në krye të tabelës. Nëse tabela vazhdon në faqen tjetër legjenda nuk përsëritet. Nëse një tabelë përmban citate, referencat duhet të theksohen.

 

16.12 Diagramet- Nëse diagramet paraqiten si fotografi, duhet të vendosen në faqen përkatëse, ilustrimet ose grafikët nuk e ndjekin tekstin ose tabelën gjithmonë.

Fjala “figurë”, numri i diagramës me numër arab dhe shpjegimet duhet të vendosen poshtë diagramës. Përgjithësisht një diagramë nuk duhet të kalojë një faqe. Nëse diagrama vazhdon në faqen tjetër, duhet të ndiqet rregulli për tabelat. Si edhe tabelat, diagramet duhet të mblidhen bashkë dhe t’u vihen numra suksesivë.

Fotografitë që janë më të vogla se një faqe duhet të vendosen në faqen përkatëse.

 

16.13 Materialet shoqëruese- Nëse një punim përmban materiale shoqëruese  të tilla, si: disketa kompjuteri, video ose kaseta etj. që janë një pjesë e rëndësishme e punimit, ato duhet t’i bashkëngjiten  punimit.

 

Neni 17

Mbi etikën e kërkimit

 

17.1 Kur dorëzon disertacionin studenti duhet të deklarojë me shkrim se studimi është punë origjinale e tij.

 

17.2 Një kandidat nuk lejohet të paraqesë si punim një punim që e ka paraqitur më parë në këtë njësi, por kandidati mund te pataqese pjesë të punës nëse ai tregon qartë cila pjesë e punës është përdorur me parë.

 

17.3 Një kandidat mund të paraqesë një pjesë kontributi që është botuar më parë individualisht ose në grup. Nëse puna është pjesë e përpjekjeve të një grupi, një shpjegim për pjesën e shkruar nga kandidati duhet të përfshihet në punim.

 

17.4 Plagjiatura përfshin përdorimin e ideve dhe të fjalëve nga publikimet e një personi tjetër pa dhënë referencën përkatëse. Kërkohet që të shënohet referenca përkatëse nëse përdoren ide të të tjerëve.

 

17.5 Përdorimi i ideve ose punës së të tjerëve duhet të evidencohet individualisht në tekst ose secili punim i përdorur duhet të shënohet në listën e referencave ose ne bibliografi.

 

17.6 Të gjitha citimet nga punimet e të tjerëve duhet të vendosen në thonjëza dhe të shënohet burimi.

17.7 Nëse pasazhet e marra nga të tjerët janë më të gjata se 5 radhë nuk futen në thonjëza por shënohet referenca për to.

 

17.8 Sqarimet e mundshme të kandidatit duhen futur në kllapa katrore.

 

17.9 Nëse burimi origjinal nuk gjendet dot, por ai është përmendur në një dokument tjetër, atëherë duhet të jepen të dy dokumentet burimi origjinal dhe burimi dytësor.

 

17.10 Udhëheqësit duhet të sqarojnë që në fillim të punës se asnjë lloj mashtrimi, falsifikimi dhe plagjiature nuk do të tolerohet por përkundrazi për to ka ndëshkime të ndryshme.

 

17.11 Në rastet kur pandershmëria akademike ka ndodhur, kjo i bëhet e ditur Dekanit për veprime të mëtejshme..

 

17.12 Pronësia intelektuale, e drejta e autorit për punimin (si edhe për një material të botuar), mbrohet nga ligji i së drejtës të autorit dhe akte te tjera te palikueshme ne kete drejtim. Shënimi për rezervimin e të drejtës së autorit, simboli përkatës ©, emri i zotëruesit të autorësisë, viti i punimit duhet të vendosen në faqen që vjen pas titullit të punimit.

 

Neni 18

Financimi

 

18.1 Vlera e doktoratës planifikohet dhe mbulohet nga të ardhurat dytësore të buxhetit të departamentit organizues, nga projekte të ndryshme, nga tarifa e regjistrimit dhe shkollimit të kandidatit, nga burime të tjera publike ose private. Secili fakultet paraqet në Rektorat propozimet për tarifën e regjistrimit dhe shkollimit të studentit.

 

Neni 19

Dispozita kalimtare

Për studentët që janë të regjistruar tashmë në studimet e doktoratës

 

19.1 Studentët e regjistruar përpara datës 31 dhjetor 2005 që kanë plotësuar kërkesat e VKM nr. 786 datë 17.12.1998 “Për kualifikimin shkencor pasuniversitar dhe për klasifikimin e punonjësve pedagogjikë e kërkimorë”, të ndryshuar dhe dorëzojnë në dekanat dosjen e plotë me disertacionin e përfunduar, deri më 31 dhjetor 2008, kryejnë mbrojtjen e doktoratës sipas procedurave të parashikuara në shkronjën “c” të pikës 5 të vendimit nr. 864 datë 5.12.2007 të KM;

 

19.2 Nëse studentët e regjistruar përpara datës 31 dhjetor 2005 që kanë plotësuar kërkesat e VKM nr. 786 datë 17.12.1998 “Për kualifikimin shkencor pasuniversitar dhe për klasifikimin e punonjësve pedagogjikë e kërkimorë”, të ndryshuar por nuk arrijnë të dorëzojnë dosjen e plotë me disertacionin e përfunduar, deri në datën 31 dhjetor 2008, do të vazhdojnë studimet në ciklin e rregullt sipas vendimit nr. 786 datë 17.12.1998 të KM “Për kualifikimin shkencor pasuniversitar dhe klasifikimin e punonjësve pedagogjikë e kërkimorë” të ndryshuar por do të plotësojnë edhe kushtet e parashikuara në pikës 5 të VKM nr. 864 datë 5.12.2007 për mbrojtjen e doktoratës.

 

19.3 Edhe studentët që janë regjistruar në studimet e doktoratës nga data 1 janar 2006 deri në datë 31 dhjetor 2007 do të vazhdojnë studimet në ciklin e rregullt sipas VKM nr. 786 datë 17.12.1998 “Për kualifikimin shkencor pasuniversitar dhe për klasifikimin e punonjësve pedagogjikë e kërkimorë” të ndryshuar por do të plotësojnë edhe kushtet e parashikuara në pikën 5 të VKM 864 datë 5.12.2007 për mbrojtjen e doktoratës.

 

19.4 Studentët që janë regjistruar në studimet e doktoratës pas datës 1 janar 2008 e në vazhdim, i përfundojnë studimet në përputhje të plotë me këtë rregullore.

 

Neni 20

 

 20.1 Kjo rregullore hyn në fuqi menjëherë.

 

 

 

Comments