Lindita Hamolli

Fusha e punimit: ZBULIMI I PLANETEVE JASHTËDIELLORE NËPËRMJET MIKROPËRTHYERJES GRAVITACIONALE

Abstrakti: Planetet jashtëdiellore po tërheqin mjaft vëmendjen e bashkësisë shkencore kohët e fundit, në kuadrin e interesit në rritje për zbulimin e ekzistencës së jetës në to. Një nga metodat e dedektimit të këtyre objekteve është mikropërthyerja gravitacionale. Dukuria e mikropërthyerjes gravitacionale ndodh kur fusha gravitacionale e një objekti astrofizik vepron si një lente duke zmadhuar ndriçimin e yllit burim që ndodhet pas tij në vijën e shikimit vëzhgues-lente-burim. Gjatë kësaj ngjarje ajo që vrojtohet është ndryshimi i ndriçueshmërisë së yllit burim në lidhje me kohën. Matjet fotometrike japin kurbat e mikropërthyerjes gravitacionale. Këto kurba janë një burim informacioni për njohjen e popullimeve të lenteve që ndodhen në hapësirën ndërmjet vrojtuesit dhe yllit burim.
Në kapitullin e parë bëhet një përshkrim i shkurtër i metodave që përdoren sot për zbulimin e planeteve jashtë sistemit diellor. Këto planete ose janë të lidhura me ndonjë yll rreth të cilit rrotullohen ose janë të lira plotësisht. Planetet e lira mendohet të jenë krijuar në diskun proto-planetar dhe pastaj si rezultat i proceve dinamike janë shkëputur plotësisht dhe enden në hapësirën ndëryjore. Për dedektimin e planeteve të lira e vetmja metodë deri tani është mikropërthyerja gravitacionale. Bazuar mbi këtë metodë, sot operojnë disa observatorë tokësorë dhe një observator hapësinor. Drejtimet e tyre të vrojtimit janë qendra e Galaksisë dhe Retë e Magelanit. Për shkak të prezencës së atmosferës së Tokës, dedektimi i ngjarjeve të shkaktuara nga lentet me masa të vogla ka një kufi të poshtëm. Për të shmangur ndikimin e atmosferës sot po projektohen observatorë të rinj hapësinorë.Në këtë kapitull ne bëjmë një përshkrim gjeometrik të dukurisë së mikropërthyerjes gravitacionale dhe përcaktojmë amplifikimin në kurbat e dritës që përftohen gjatë një ngjarje mikropërthyerje. Në rastin kur lentja dhe ylli burim konsiderohen piksorë dhe lëvizja relative e burimit, lentes dhe vrojtuesit është lineare, kurbat që përftohen janë kurba standarde. Nga madhësitë e vrojtueshme në këto kurba masa dhe distanca e lentes nga vrojtuesi nuk mund të përcaktohen në mënyrë të vetme. Në rastin jo standard në kurbat e dritës vërehen anomali, të cilat mund të vijnë nga rrotullimi i Tokës rreth Diellit, lentja mund të jetë sistem binar dhe burimet kanë përmasa të fundme. Këto efekte shtesë ndihmojnë në heqje e pjesshme të degjenerimit.
Më tutje vazhdojmë me trajtimin teorik të dy madhësive të rëndësishme në vrojtimet mikropërthyerje: thellësisë optike dhe ritmin i ngjarjeve. Këto madhësi varen nga densiteti i masës dhe densiteti i numrit të lenteve që ndodhen përgjatë vijës së shikimit. Kështu që përcaktimi i tyre nga vrojtimet do të ndihmonte në njohjen e popullimit të lenteve. Vlerat e këtyre madhësive rriten nëse yjet burime ndodhen në distanca të mëdha. Për të patur një numër më të madh të ngjarjeve mikropërthyerje zonat e vrojtimit duhet të jenë relativisht të dendura me yje.

Teza e plote: 

                           

                          Kliko ketu

Comments