Projekte‎ > ‎

Studim i thelluar (mikrobiologjik, molekular, citologjik, ekologjik) i cilësisë së ujrave dhe ekosistemit të Liqenit të Ohrit në shërbim të komunitetit dhe me bashkëpunimin e autoriteteve vendore.

Titulli i Projektit: Studim i thelluar (mikrobiologjik, molekular, citologjik, ekologjik) i cilësisë së ujrave dhe ekosistemit të Liqenit të Ohrit në shërbim të komunitetit dhe me bashkëpunimin e autoriteteve vendore. 

Kohëzgjatja: Prill – Dhjetor 2019 

Financuesit: FSHN, UT 

Linku i projektit: 

Përshkrimi i projektit: Liqeni i Ohrit, një ndër pasuritë ujore me vlerë të madhe ekonomike për vendin tone, është një ekosistem oligotrofik (Matzinger et al. 2006; Spirkovski et al. 2001, GIZ Albania 2016), i cili rrezikon të shkojë drejt procesit të eutrofikimit. 

Aktivitetet njerëzore si peshkimi pa kriter, shkatërrimi i habitateve, zhdukja e specieve endemike dhe futja e specieve invazive, shkatërrimi i brezit të kallamishteve, sendimentet, erozioni, mungesa e zbatimit të ligjeve ekzistuese në ruajtjen e liqenit, ndotja nga metalet e rënda si rezultat i aktiviteteve të minierave të mëparshme në kurrizin ujëndarës të liqenit, përbëjnë arsyet kryesore përgjegjëse për këtë rrezik. 

Në këtë kuadër, vlerësimi viti pas viti i cilësisë së ujrave, nivelit të trofisë dhe ekosistemit ujor si një i tërë (përfshirë gjallesat bimore, shtazore, fitoplanktonike) merr një vlerë të madhe dhe përbën jo vetëm një subject të rëndësishëm studimor, por mbi të gjitha një studim rezultatet e të cilit do ti vlejnë komunitetit dhe do ti shërbejnë autoriteteve vendore për të marrë masat e duhura në shërbim të evidentimit të problematikave dhe rikuperimit në kohë të dëmeve. 

Në këtë studim janë parashikuar të kryhen analiza për vlerësimin mikrobiologjik, molekular, citologjik, ekologjik të ekosistemit të Liqenit të Ohrit, të detajuara në rubrikat e mëposhtme të këtij projekt-propozimi. Vlerë të posaçme merr fakti se për herë të parë nuk do të vlerësohet vetëm cilësia e ujrave dhe niveli i trofisë, por edhe diversiteti i popullatave të specieve fitoplanktonike, makrofiteve, dhe atyre iktike me rëndësi për Liqenin e Ohrit, dhe do të jepen konsiderata mbi ndikimin e cilësisë së ujrave në to. 

Stafi i angazhuar në projekt ka punuar për një periudhë të gjatë në projekte për vlerësimin e cilësisë së ujrave mbi dhe nëntokësore dhe atyre të pijshme, në zonat bregdetare dhe lagunore të Shqipërisë, ndaj në këtë project do të synohet një vlerësim i integruar i faktorëve fiziko-kimikë, molekularë, citologjike, mikrobiologjike dhe në përmbledhje të tyre do të jepen rekomandime të rëndësishme për vijimësinë e ruajtjes së statusit të Liqenit të Ohrit si një trup ujor oligotrofik, i pasur me specie të florës dhe faunës vendore dhe i përshtatshëm për turizëm. 

Objektivat e projektit dhe rezultatet e pritshme: 

A. Stabilizimi i metodave të thelluara molekulare, citologjike dhe të mikroshumimit për vlerësimin e biodiversitetit brendallojor, të disa kategorive bimore të ekosistemit të Liqenit të Ohrit. Angazhimi i studenteve te ciklit te dyte dhe te trete ne realizimin e kerkimit shkencor. 

B.Vlerësimi i cilësisë së ujrave dhe ajrit të ekosistemit të liqenit të Pogradecit . Evidentimi i ngarkesës mikrobike, karakteristikave fiziko-kimike dhe atyre biologjike. 

C. Përfshirja në procesin e vlerësimit dhe diseminimit të të dhënave e autorititeve vendore përgjegjëse për menaxhimin e basenit ujor të Liqenit të Ohrit.