Projekte‎ > ‎

Darvini sot

QËLLIMI
Njohja e teorisё darvinane nё ditёt e sotme dhe paraqitja e ndryshimeve tё saj konceptuale nё fusha tё ndryshme tё biologjisё.


OBJEKTIVAT

a.Njohja e statusit aktual tё teorisё darviniane dhe ndryshimet qё ajo ka pёsuar nё ditёt tona

b. Paraqitja e zbulimeve tё gjetura nё ditёt tona pёr ndodhjen e evolucionit biologjik

c. Njohja e ndryshimeve konceptuale evolucionare nё studimin dhe interpretimin e sjelljes

d. Njohja e mёnyrёs sё pёrdorimit tё teorisё darvinane nё studimin e lindjes sё kulturёs


ARGUMENTIMI

Teoria e evolucionit me anё tё seleksionit natyror u formulua nё formёn e saj tё plotё prej Darvinit dhe u pasqyrua nё veprёn madhore shkencore “Prejardhja e llojeve” tё botuar pёr herё tё parё nё vitin 1859. Formulimi i kёsaj teorise pёrbёn njё ndёr ngjarjet kryesore nё historinё e shkencёs dhe pёr biologjinё nё vecanti. Pёr kёtё arsye, kudo pёrkujtohet Dita e Darvinit pёr tё nderuar kontributin dhe trashёgiminё e tij shkencore. Dita e Darvinit ёshtё vendosur data 12 shkurt qё pёrkon me lindjen e biologut. Nё kёtё pёrkujtimore, njё prej aktiviteteve qё zhvillohen nё departamentet e Biologjisё ndёr universitete ёshtё dhe leksion i hapur prej njё ose disa profesorёve. Kёto leksione tё hapura paraqesin kontributet e Darvinit nё shkencё dhe ndikimin nё shoqёri shoqёri, ndryshimet qё ka pёsuar teoria e Darvinit nё ditёt e sotme, shtrirjen e teorisё sё tij nё disiplina tё tjera shkencore etj.

Nga ky kёndvёshtrim, ёshtё e rёndёsishme dhe pёr departamentin e Biologjisё pranё UT, tё nderojё figurёn mё tё rёndёsishme nё disiplinёn e biologjsё, Carls Darvinin.

Njohja e kontributit tё tij dhe paraqitja e ndryshimeve qё ka pёsuar teoria evolucionare nё ditёt e sotme do tё realizohet me anё tё leksioneve tё hapura tё mbajtura prej profesorёve dhe lektorёve nё prani tё kolegёve dhe studentёve tё interesuar.

Kёto leksione do tё ndihmojnё nё njohjen e ndikimit tё punimeve tё Darvinit nё biologji jo thjesht pёr kujtesё por dhe pёr tё kuptuar zhvillimet e sotme nё biologji, zhvillime tё cilat pёrputhen me temat e trajtuara gjatё leksioneve tё hapura. Gjithashtu, leksionet e hapura ndihmojnё nё pёrfshirjen e profesorёve tё pranishёm dhe studentёve tё interesuar pёr tё gjeneruar diskutim. Diskutimi apo debatte shkencore nё departament nё formёn e leksioneve tё hapura lipset tё formojё njё traditё tё pёrvitshme jo vetёm pёr Ditёn e Darvinit por dhe nё vijim, me paraqitje tё tjera po aq me vlerё mbi zhvillimet aktuale nё biologji.

Me anё tё leksioneve tё hapura dhe pёrmbledhjes sё tyre nё Buletin, ky aktivitet shkencor mund tё vijojё nё vitet nё vazhdim me lektorё tё tjerё brenda fakultetit apo me lektorё tё ftuar nga departamente tё tjerё ose tё huaj.


AKTIVITETE

Programi
Dt.19.03.2018, ora 10.00-13.00


Prof. Dr Zyri Bajrami: Sinteza e zgjeruar evolutive (SEE)
Prof. Dr. Ferdinand Bego: Provat e evolucionit: Zbulimet e sotme ndёr vertebrorё
Prof.Dr. Asoc. Mihallaq Qirjo: Sjellja nёn optikёn e sotme evolucionare
Dr. Ani Bajrami: Origjina evolucionare e kulturёs


Kёto leksione janё tё strukturuara nё mёnyrё tё tillё qё tё realizohet njohja aktuale e statusit tё teorisё sё Darvinit. Kjo teori ёshtё vendosur pёrballё rikonceptimeve tё mёdha nё rrafsh filozofik deri nё formimin e SEE. Nё vijim, provat e mbledhura sё fundi e konfirmojnё nё vazhdimёsi procesin evolutiv dhe hedhin poshtё spekulimet pёr mosndodhjen e tij. Gjithashtu, rikonceptimi i asaj cka pёrkufizohet si sjellje nё optikёn evolucionare dhe krahasimi i sjelljeve tё njeriut me ato tё kafshёve gjeneron pyetje pёr diskutim edhe mbi atё cka njohim si kulturё apo sjelljet e trashёgueshme socialisht.