Projekte‎ > ‎

RECENT TRENDS AND APPLICATIONS IN COMPUTER SCIENCE AND INFORMATION TECHNOLOGY”

Titulli i projektit:  ORGANIZIMI I KONFERENCËS SË TRETË NDËRKOMBËTARE “RECENT TRENDS AND APPLICATIONS IN COMPUTER SCIENCE AND INFORMATION TECHNOLOGY”
Kohëzgjatja: 1 vit
Financuesi(t): Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës
Logoja e projektit: 

Linku: http://rtacsit.fshn.edu.al/


Përshkrimi i shkurtuar i projektit:

Departamenti i Informatikës ka si mision jo vetëm përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në të gjitha programet që ai ofron, por edhe zhvillimin dhe pasqyrimin e veprimtarisë kërkimore shkencore të saj. Për të simuluar dhe mbështetur aktivitetin kërkimor shkencor është e nevojshme që të organizohet një konferencë ndërkombëtare në shkencat kompjuterike dhe teknologjinë e informacionit. Nisur nga eksperiencat e suksesshme të zhvillimit të kësaj konference në vitin 2014 dhe në vitin 2016, departamenti duke dashur që ta vazhdojë këtë traditë cdo dy vjet dëshiron ta organizojë përsëri konferencën në vitin 2018.
Qëllimi kryesor i projektit është që nëpërmjet organizimit dhe zhvillimit të konferencës ndërkombëtare të sigurohet një platformë për kërkuesit në fushën e shkencave kompjuterike dhe teknologjisë së informacionit, për të prezantuar rezultatet kërkimore si dhe për të diskutuar sfidat praktike me të cilat janë përballur dhe zgjidhjet që kanë adaptuar.
Kjo konferencë do të shërbejë jo vetëm për të pasqyruar dhe publikuar punën kërkimore të stafit të Departamentit, por edhe për të përforcuar lidhjet ndërmjet institucioneve kërkimore në Shqipëri, trevave shqiptare dhe për të krijuar dhe stabilizuar bashkëpunimet me institucionet e huaja. Në këtë mënyrë synohet të drejtohet puna kërkimore e Departamentit drejt nevojave reale për inovacion që ka tregu i teknologjisë së informacionit në Shqipëri. Krijimi i lidhjeve me institucionet brenda vendit dhe jashtë saj janë të domosdoshme për të realizuar kërkimin shkencor në projektet europiane. Adresimi i problemeve të identifikuara do të mundësojë përditësimin sipas nevojave aktuale të tregut të kurrikulave të programeve të studimit të zhvilluara në Departamentin e Informatikës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.
Për të realizuar organizimin e konferencës u angazhuan pedagogët e Departamentit të cilët u ndanë në dy komitete: komiteti organizativ dhe komiteti shkencor. U krijua dhe një grup me studentë për të ndihmuar gjatë organizimit të konferencës. Organizmi i konferencës përfshin disa faza si: lançimi i saj nëpërmjet një faqe interneti dhe mediave sociale, dërgimi i emaileve në institucione të ndryshme për të shpërndarë thirrjen, mbledhja e punimeve nga komiteti shkencor, përgatitja e recencave për punimet dhe dërgimi i tyre autorëve, përgatitja për publikim i punimeve dhe organizimi i konferencës.
Në sesionet e konferencës u paraqitën 24 punime të plota dhe 9 punime të shkurtra, që u prezantuan gjatë sesionit të posterave. Në edicionin e tretë të konferencës temat kryesore ishin analiza e të dhënave, e-business /e-government, vizioni kompjuterik, siguria dhe inteligjenca artificiale etj.
Punimet e pranuara paraqitën punë kërkimore nga Shqipëria, Kroacia, Italia, Turqia dhe Bangladesh.