Për Kopshtin Botanik Kopshti Botanik i Tiranës (KB) është themeluar në vitin 1971, mbështetur në parimet fito-gjeografike dhe sistematike. Ai zë një sipërfaqe prej rreth 15 ha, në shpatet kodrinore jugore të Tiranës. Ashtu si MSHN, prej vitit 1996, KB vlerësohet si Njësi Shërbimi Universitar në varësi të drejtpërdrejtë nga Dekanati i FSHN-së. Ai është institucion i vetëm në Shqipëri, me karakter kërkimor, kulturor dhe edukues. Aktiviteti shkencor është përqendruar kryesisht në studimin e florës dhe bimësisë së Shqipërisë, veçanërisht llojeve të kërcënuara, të rralla dhe endemike, dhe rritjen e tyre brenda Kopshtit. Këtu gjen strehë rreth 1400 lloje dhe nënlloje bimore, gati një e treta e florës së Shqipërisë. Aktivitete të tjera kanë të bëjnë me studimin e bio-ekologjisë së llojeve të introduktuara, me studimet fitosociologjike të livadheve natyrore, pyjeve, zonave të mbrojtura etj. Në vitin 1981 u publikua për herë të parë Treguesi i Farave (Index Seminum), i cili shkëmbehet me rreth 160 Kopshte Botanike në mbarë botën. Në këtë mënyrë shkëmbehen vazhdimisht fara dhe informacion shkencor për florën dhe bimësinë e Shqipërisë. ![]() |
|